Fëmijët me leukemi, vjen lajmi i madh dhe i mirë nga QKUK-ja

Sëmundjet e gjakut, janë shtuar shumë në vendin tonë, e sidomos te mosha e re.

Në Klinikën e Biokimisë Mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, bëhen analiza specifike, të cilat më herët janë bërë vetëm në klinika private ose jashtë vendit.
Drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, tha se këtë vit për herë të parë pritet të fillojë edhe transplantimi i palcës kurrizore te fëmijët me leukemi.

Me vite të tëra shumë pacientë janë rekomanduar nga mjekët që për disa analiza specifike të drejtohen në klinikat private ose edhe jashtë vendit.

Ndërsa, pajisja me aparatura te teknologjisë së fundit në Klinikën e Biokimisë Mjekësore në QKUK, ka bërë që dhjetëra analiza të reja të bëhen në këtë klinikë, tha për Radio Kosovën drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli.

“Qe një vit kemi filluar, sidomos me statusin hormonal që më herët nuk është bërë, tumor markerët që tani për sëmundjet jashtëzakonisht të shprehura që ndërlidhen edhe me institutin e onkologjisë. Po ashtu, përpara nuk janë bërë edhe hormonet e gjëndrës tiroide. Në anën tjetër nuk kanë bërë edhe analizat biokimike, komplet fraksionet e ndryshme të yndyrave. Ne jemi në njëfarë forme doktorët që punojnë nën hije, apo ne jemi ata që e bëjmë bazën për të zbuluar sëmundjet, gjegjësisht për t’i trajtuar sëmundjet”, tha ai.

Këtë po e vërejnë edhe pacientët të cilët janë drejtuar për analiza laboratorike në Klinikën e Biokimisë.

“Po, shumica bëhen. Edhe ato që bëhen janë mjaft kualitative, përndryshe nga 2-3 herë po i përsërisim analizat, për shkak se mjekët po dyshojnë në laboratorët privatë dhe unë për këtë arsye jam këtu në QKUK”, tha ai.

Projekt tjetër madhor që këtë vit pritet të fillojë për herë të parë në Kosovë, është edhe transplantimi i palcës kurrizore te fëmijët me leukemi, tha dr. Veseli.

“Është projekt që është miratuar dhe këtë vit fillon me hemato-onkologjinë kur ne synojmë të bëjmë transplantimin e palcës kurrizore dhe kjo më lidh mua me këtë shërbimin dhe me shërbimin e biokimisë në kuadër të hematologjisë, ku do të fillojmë thjeshtë me analizat “flu citometër”, që përpara janë kryer në Gracë të Austrisë”, tha ai.

Drejtori Veseli tha se në vitin 2018 në Klinikën e Biokimisë Mjekësore janë realizuar rreth 1 milion e 300 mijë analiza, dhe kjo ka bërë që qytetarëve të vendit t’i shpëtohen miliona euro nga xhepat e tyre.

Portali Trendi

Your Header Sidebar area is currently empty. Hurry up and add some widgets.