Kam mundur me qenë kamarier, por u bëra gazetar

Secili nga ne kemi histori të veçantë në jetën tonë, dikush ka kaluar nepër sfida të ndryshme për ta mbërritur atë që ka dashur, e dikush ka pasur sfida më të lehta për ta arritur qëllimin e tij ose të saj. Ia nisa të punoja në ndërtim, në një firmë private. Punova thuajse mbi 1 muaj, rëndë, nxehtë, presion, shumë punë dhe në fund pak pare, mos me thënë hiq.Punoja për 8 euro në ditë maksimumi. E fillonim punën në ora 07:00 dhe e përfundonim në ora 18:00. Shikoja hijen e ndërtesave nga dielle për të parë se edhe sa kohë ka mbetur koha për të punuar, jo përse nuk doja të punoja, por sepse ishte tejet vështirë, puna që bëja, për një të ri si unë, e për një person i cili fizikisht nuk qëndroja mirë, isha i vogël e i lodhur me peshë.

Shefat nuk na lënin as ujë të pinim rehat, duke thënë ‘hajde ma qka po ban, qka u kalle për kta ujë. Puno, jeni ardh me punu jo me pi ujë. Grahni b*** se për qeta paguhi”, fjalë të rënda këto natyrisht, e sidomos për një të ri i cili nuk kishte as idenë se di do të ishte e ardhmja e tij e çka do të bënte pastaj. Punova diku 30-40 ditë, dhe e lash atë punë, shumë rëndë, shumë presion, shumë zhurmë për asgjë, për pak pare. E lash ndërtimin për të filluar një punë tjetër që mëndoja ishte më e lehtë. U punësova fillimisht në një restaurant diku 3-4 km larg shtëpisë sime si praktikant ku kalova 1 javë. Pasi mbarova si me thënë praktikën, fillova të punoja në një ëmbëltore në qytetin tim, ku kisha përfunduar gjimnazin. Ishte 1 shtatori si sot më kujtohet.
E nisa, më dukej më lehtë. Por paga aty ishte edhe më e vogël, ndërsa orari ishte i gjatë nga 08:00 deri në 19:00. Sikurse në ndërtim edhe këtu kishte presion. Madje kishim vetëm 20 minuta pauzë të bukës dhe jo më shumë, ndryshe nga pauzat tjera që janë 60 minuta. Drekën ka qenë dashur me ngrënë shpejtë e shpejtë. Nuk kishim të drejtë të ulëmi as edhe 1 minutë të vetëm, e as të mbështetëmi pran ndonjë muri ose pranë shankit ku punonim, sepse shefat nuk dëshironin të na shihnin ashtu. Por as këtu nuk e deshti. U largova nga puna si shkak i mosefikasitetit, ani pse kisha bërë përvojë paraprakisht. U detyrova me ndërprerë, pa dëshirë por me urdhër të shefit. Për tri-katër javë sa punova aty, i mora veç 20 euro. Madje ishin në zarfë dhe nuk e dija se janë aq pak se nuk do ia merrja kurrë, do ia përplasja për fytyre shefit të atij lokali, jo për t’u treguar i rreptë ose arrogant, por për ti treguar se nuk bën të luhet me ndjenja e me fytyrë të një të riu.

E mbarova edhe këtë punë. Nuk kisha ide çka të bëja, çka të punoja. Ndërtimi i rëndë, puna e kamarierit nuk ishte për mua meqë mendoja se prap do të ndodht e njëjta po të nisja diku tjetër këtë punë. Pauzova ashtu, kushtet ekonomike jo të mira a për ti nisur studimet, me gjithë dëshirën për ta studiuar porfesionin e zemrës që e doja. Një ditë vendosa, vendosa me studiu, ngase unë veç isha regjistruar në Depertamentin e Gazetarisë në UP. Nuk kisha asgjë njohuri për këtë drejtim, nuk e dija as sallat e ligjeratave dhe nuk e njihja mirë Prishtinën, pasi isha nga një qytet që ishte dikur 40 kilometra larg kryeqytetit dhe nuk ishte qytet që më parë më kishte lidhur diçka me të. Por vendosa me i fillu studimet, i nisa me një muaj vonesë, kushtet ekonomike nuk ishin të mira që unë të kisha para për të studiuar, me 3-4 euro e kaloja javën, me një bukë e një pashtetë ose djath të vogël e kaloja ditën, por nuk kisha si të ushqehem më mirë, as familja nuk ishte më mirë se unë. E dija se po të kishin do të më shkollonin me kushte të mira, por gjendja reale ia pamundësonte realizimin e dëshirës dhe vullnetit të tyre që unë të kisha financa të mjaftueshme për studime, të paktën sa të mos hequr keq.

Dhe kështu në këto kushte të rënda vazhdova për një vitë e gjysmë të studioja, e pas saj fillova të hapi diçka të re, diçka timen. Meqë punët e lartëcekura nuk ishin zgjidhje për mu, mendova, dhe vendosa të bëja diçka të re. Dhe kështu fillova dhe e themeluam Gazetën NewBorn, bashkërisht me Fitim Çekun. Më parë nuk kisha besuar kurrë se një ditë do të jem pronar i një biznesi të suksesshëm. E nisëm si e nisëm, me vështirësi, me plotë sfida e mund, e duke punuar pa pare për thuajse 1 vit. Por nuk u ndalëm kurrë së punuari dhe vazhduam deri këtu. Si çdo fillim që është i vështirë edhe fillimi i këtij hapi ishte tejet i vështirë, pasi që nuk kisha njohuri se si bëhet një portal, çfarë duhet të bëjmë e si duhet ta menaxhojmë, por me gjithatë e dëgjova guximin dhe startuam. Tani bëhen katër vite prej kur është themeluar ky medium, katër vite aspak të lehta, por vite që më kanë mësuar shumë, më kanë ndihmuar për tu bërë më i shkathët, më kanë mësuar se si duhet tejkalohen sfidat edhe atëherë kur mëndon se gjithçka ka përfunduar ose po fundoset. Por, po shumë sfida, shumë punë, shumë presion, megjtihatë ia vlejti.

Sot kam dhimbje për gjithë ata të rinj që kan një fat si timin të këtij fillimi. Ka shumë bashkëmoshatar të mi që punojnë si unë dhe i durojnë gjithë ato sharje e fyrje. Kam shumë shokë që punojnë edhe si kamariera. Nga ai moment, në shumë raste i lë para kamarierit, jo që e bëjnë qerak 0.50 cent ose 1 euro, por mundohem me ia kuptu pozicionin që ka, se jo pse i ndihmon me 50 cent apo një euro. Sot kam dhimbje për ata të ri e reja që nuk kanë kushte ekonomike për ti realizuar ëndrrat e tyre, e për ti vazhduar studimet në profesionin e zemrës. Për ata të ri e të reja që me javë e muaj të tërë presin për një vizë në ambasadat e huaja në Prishtinë, e për ata të ri e të reja që edhe përse përfudnojnë fakultetin me sukses, kthehen dhe punojnë në një punë që nuk ia kërkon as diplomën, e madje t’a përulin edhe mundin që e ke bërë për vite më radhë. Jeta ka shumë sfida, ka shumë ngatërresa, ka shumë mund. E gjitha që duhet të bëjmë është ti bëjmë ballë atyre, ti tejkalojmë edhe pse shpesh herë janë të vështira, të mos themi se mbaroj, e të mos dorëzohemi. Asgjë nuk mbaron aq lehtë po që se ti nuk dëshiron të dorëzohesh lehtë.

Mos lejo kurrë që një sfidë, një ballafaqim, apo një keqkuptim të jetë shkak që ty të të pushoj ëndrra jote, të të përfundoj qëllimi e synimi yt, përpiqu, qëndro i fortë dhe duro, duro sepse një ditë do të dalësh fitimtarë. Mos u dorëzoni, sepse jeta është sprovë, është sfidë në vete. Kurr mos thuani JO nuk mundëm, sepse PO mundemi, mundemi me arritë atë që duam por vetëm se duhet kohë dhe mund, por jo duke pritu se çfarë po sjellë e nesërmja. E nësrmja e sjellë atë që e ke mbjellur dje. E fruti i asaj që e ke mbjellur dje do të të ushqej ty, për aq kohë sa ti ke punuar në rritjen e tij. Mos prit që jeta t’i sjellë ato që do, por puno e lufto për ti bërë dëshirat e tua realitet. Jeta nuk është bingo, jeta është lojë që nëse di t’a luash mirë, mbetësh në të, e në fund edhe fiton, e merr ‘kupën’ si shpërblim, por mos prit që duke qëndruar statik përfito ose arrinë.

Për fund respekt për gjithë ata kamariera dhe gjithë ata punëtorë të ndërtimit që punojnë çdo ditë në lloj-lloj sfide e pa asnjë kontratë pune, iu lumtë për durimin. Respekt për gjithë ata të ri e të reja që sfidohen me lloj-lloj mashtrimi, papërgjegjësie, presioni e me lloj-lloj premtimi bosh.

Shkruan: Arbnor BUZHALA

Portali Trendi

Your Header Sidebar area is currently empty. Hurry up and add some widgets.